Lajme

Kupina: Strukturat e organizuara kriminale po përpiqen të shantazhojnë deputetë e Kosovës

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani ka shkruar se strukturat e organizuara kriminale, të cilat ndodhen në Listën e Zezë të SHBA-ve, përpiqen të shantazhojnë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kupina përmes një postimi në Facebook ka thënë se këto shantazhe vijnë në të njëjtën ditë kur edhe u sulmuan zyrtarët e Policisë së Kosovës.

“Këta eksponentë të strukturave kriminale po përpiqen të shkaktojnë presion edhe ndaj liderëve institucionalë me qëllim të destabilizimit të vendit dhe krijimit të paqëndrueshmërisë politike”, ka shkruar Kupina.

Ai gjithashtu ka thënë se dezinformimi dhe destabilizimi janë dy objektiva të Serbisë të mbështetur nga Rusia ndaj shtetit të Kosovës.

“Kosova është interesi ynë jetik, ndaj tendenca që nëpërmjet dezinformimit dhe destabilizimi të rrezikohet stabiliteti politik dhe siguria e vendit kërkon një pakt të të gjithëve kundrejt përpjekjeve të tilla”, ka thënë ndër te tjera këshilltari i Presidentes Osmani./Shqip.com