Sport Ndërkombëtar

Kupa e Italisë, konfirmohet orari i sfidave Milan – Inter dhe Juventus – Fiorentina

Janë konfirmuar data dhe koha se kur do të luhen gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.

Derbi i parë gjysmëfinale ndërmjet Milanit dhe Interit do të luhet të martën më 1 mars në orën 21:00.

Skuadra e Simone Inzaghit mposhti Roman në fazën e kaluar me rezultat 2:0.

Nga ana tjetër Milani e kaloi me lehtësi Lazion me shifrat 4 me 0.

Në pesë ndeshjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave Milani ka dy fitore, dy herë ka fituar Interi dhe një përballje ka përfunduar barazim.

Interi po kalon një formë më të mirë në ligë, pasi gjendet në vendin e parë, derisa Milani është dy pozita më poshtë, por vetëm me një pikë më pak.

Të mërkurën e 2 marsit do të jetë radha e gjysmëfinales tjetër, ku do të takohen Fiorentina që eliminoi Atalantën dhe Juventusi që mundi 2-1 Sassuolo-n.

Dusan Vlahovic është gati të rikthehet në “Franchi”, në stadiumin ku luante deri pak ditë më parë.

Juventusi nuk e filloi mirë stinorin në Serie A, por pas disa fitoreve në ndeshjet e fundit ka arritur të ngjitet deri në pozitën e katërt.

Nga ana tjetër Fiorentina gjendet në pozitën e tetë./Shqip.com