Lajme

Kundër koalicionit me VMRO, Ziadin Sela thërret të shtunën Kuvendin e ASH: Në zgjedhje të shkojmë vetëm

Ziadin Sela për të shtunën ka thirrur mbledhjen e Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët.

Sipas njoftimit, në takimin i cili do të mbahet në Shkup në ora 13:00, do të diskutohet për drejtimin e partisë në zgjedhjet e ardhshme të dyfishta, ato vendore dhe parlamentare.

Seancën e Kuvendit të ASH-së Sela e thërret pas përplasjeve brenda partisë, pasi kryetari i saj Arben Taravari bëri thirrje që të shkojë në zgjedhje me bllokun opozitar shqiptar (BESA-Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit), përfshirë këtu edhe partinë maqedonase VMRO-DPMNE.

Ziadin Sela mbron tezën se Aleanca për Shqiptarët duhet të shkojë në zgjedhje e vetme dhe kurrsesi në një koalicion me VMRO e cila ideologjikisht dhe në filozofinë e saj është antishqiptare.

Për shkak të kësaj ndarje dy ditët e mëparshme kanë ndodhur edhe dy incidente të rënda.

Fillimisht është sulmuar drejtori i Agjencisë së Pasurive të Konfiskuar, Driton Nebiu dhe më pas në oborrin e shtëpisë së Arben Taravarit është gjetur një plumb.

Mbrëmë vonë, disa qindra banorë të Gostivarit janë mbledhur para shtëpisë së Taravarit për të shprehur mbështetjen e tyre pas incidentit me plumbin.

Ndërsa pjesa tjetër e strukturave të Aleancës për Shqiptarët kundërshtojnë koalicionin me VMRO, parti kjo e Nikola Gruevskit i cili është në arrati për shkak të dënimit nga drejtësia maqedonase, por njëherazi njihet edhe si një nga antishqiptarët e tërbuar.

Gjatë qeverisë së VMRO, me kryeministër Gruevksin shqiptarët ishin target i pushtetit të tij dhe grupeve ekstremiste e raciste të sllavo-maqedonasve të forcës politike që sot është në opozitë.

Ndërsa në 27 prill 2017, kur Talat Xhaferi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, VMRO-DPMNE organizoi një protestë të dhunshme dhe turma e njerëzve u fut brenda në Parlament.

Aty, ekstremistët e VMRO, të urdhëruar nga Nikola Gruevski, dhunuan deputetët shqiptarë. Mes të cilëve edhe Ziadin Selën, i cili përfundoi në gjendje kritike për jetën në spital, por fatmirësisht i mbijetoi dhunës barbare.

I dhunuar përfundoi edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili ndodhej në krah të Selës në një prej sallave të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

/Shqip.com