Lajme

Kuçi: Thaçi insistoi që shpallja e Pavarësisë të jetë me datën 17 shkurt

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se ish-kryeministri, Hashim Thaçi ka insistuar që shpallja e Pavarësisë së Kosovës të jetë me datën 17 shkurt.

Kuçi në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, tha se në dhjetor të vitit 2007 kanë pasur njohuri për datën e përcaktimit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Kam pasur fatin që të jem atë kohë zëvendëskryeministri i parë, por edhe prej njerëzve të afërt me ish-kryeministrin e asaj kohe, Thaçin. Dhe mendoj që në atë kohë qysh në dhjetor të vitit 2007, kemi pasur njohuri për datën e përcaktimit dhe duhet të them se këtë dakordim e kemi marrë në Washington në një vizitë të përbashkët. Në atë kohë ka qenë zëvendësndihmës sekretari amerikan Nicholas Burns, i cili diskutoi se a duhet ta bëjmë shpalljen e pavarësisë me datën 17 pasdite apo me datën 18 shkurt paradite. Që me datën 18 shkurt që mbahej mbledhja e Këshillit të Ministrave të Unionit Evropian. Neve nuk na pritej, në veçanti kryeministri Thaçi insistoi që të jetë më 17 shkurt pasdite. Dhe që atë kohë kemi ditur datën e saktë”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Kuçi tregon arsyet se pse u vendos që data 17 shkurt të shpallet pavarësia.

“Arsyeja kryesore ishte që të mos hyjë në rend dite (në mbledhjen e Këshillit të Ministrave) në mënyrë që të mos kishte reagime që mund të jenë të pa përshtatshme për ne. Arsyeja e dytë ishte që kemi pasur parasysh që datën të mos publikojmë për shkak të ndonjë lëvizje në aspektin e sigurisë që mund ta bënte Serbia me popullatën serbe në Kosovë”, përfundoi ai.

/Shqip.com