Lajme

Kuçi: Kurti po kërcënon opozitën dhe mediat që po refuzojnë nënshtrimin

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për kërcënim ndaj opozitës dhe mediave.

Kuçi i është referuar një fjalimi që Kurti e ka mbajtur të dielën në Lëvizjen Vetëvendosje në cilësinë e kryetarit të kësaj partie.

“Kurti, në fjalimin e tij të mbajtur sot para Këshillit të Partisë, deklaroi qysh mbështetja e aktivistit duhet të jetë e tëra në sukses e dështim. Nëse kjo s’flet për nënshtrim atëherë asnjë deklaratë diskursive nuk mund ta shpërfaqë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ajo po ashtu tha se “Kurti dëshiron t’i bëjë hisedarë imagjinarë të gjithë në pushtetin e tij, në fitore e humbje, arritje e dështim, ashtu që t’i nënshtrojë në hegjemoninë e tij. Kurtit i nevojitet teren homogjen ku kritika mbytet gati si natyrshëm, pa ndërhyrje të drejtpërdrejt të dhunshme sepse ai zgjati dorën kinse e do të bëjë bashkëpronarë në arritjet e dështimet e tij”.

“Mos të harrojmë; ky nuk është mesazh vetëm për militantin e aktivistin e rëndomtë; ky mesazh, nën rreshta, është kërcënimi ndaj opozitës e mediave që po refuzojnë nënshtrimin”, mbaron postimi i Kuçit në Facebook. 

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e radhës të Këshillit të Përgjithshëm.

Kurt ka folur për ekonominë e vendit dhe dialogun me Serbinë. Po ashtu, ka përmendur edhe arritjen e marrëveshjes për dokumente me Serbinë./Shqip.com