Lajme Botë

Kuba në errësirë pas uraganit “Ian”

Qeveria e Kubës ka njoftuar se vendi është pa energji elektrike si pasoj e goditjes së skajit të saj perëndimor nga uragani Ian.

Siç raporton BBC, sipas zyrtarëve në Kuba sistemi elektrik është në kolaps pasi termocentrali kryesor “Antonio Guiteras” nuk po mund të kthehet në prodhim duke i lënë mbi 11 milionë njerëz në errësirë.

Nga ky Uragan, dy persona u raportuan të vdekur si dhe shumë ndërtesa u dëmtuan.

Uragani i kategorisë së tretë, me shpejtësi të erës deri në 195 km/h (120 mph), tani po godet Floridën.

Pronari i prodhuesit të famshëm të purove Finca Robaina ka postuar foto në rrjetet sociale nga gjendja e shkaktuar nga uragani në fermat e duhanit.

“Ishte apokaliptike, një fatkeqësi e vërtetë”, ka shkruar Hirochi Robaina.

Mayelin Suarez, një banore e Pinar del Rio, tha se kur stuhia goditi ajp ditë ishte dita më e errët e jetës së saj.

“Ne pothuajse humbëm çatinë e shtëpisë sonë. Vajza ime, bashkëshorti im dhe unë e lidhëm me litar që të mos fluturonte larg”.

Me një postim në Twitter, presidenca kubane njoftoi se presidenti Miguel Diaz Canel vizitoi provincën dhe u zotua se do të ndihmonte që të kalohen këto vështirësi.

Një grua 43-vjeçare në provincë u vra pasi u shembën muret e shtëpisë së saj. 

Një fermer në qytetin San Juan y Martínez u godit nga rryma ndërsa përpiqej të mbyllte një turbinë me erë që përdoret për ujitje.

Megjithatë, Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA (NHC), njoftoi se uragani ka mbledhur forcë në Gjirin juglindor të Meksikës pasi u largua nga Kuba ndërsa parashikohet të mbërrijë në bregun perëndimor të Floridës gjatë ditës së sotme.

NHC thotë se Ian mund të jetë një uragan i kategorisë së katërt në kohën kur godet bregun perëndimor të Floridës, me shpejtësi të erës që kalon 130 mph.

Rreth 2.5 milionë njerëz në Florida janë nën urdhër evakuimi.

Guvernatori i Floridës Ron DeSantis shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të gjithë Florida gjatë fundjavës dhe ka aktivizuar 5000 trupa të Gardës Kombëtare.

Shteti i Gjeorgjisë ka shpallur gjithashtu gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka vendosur në gatishmëri 500 trupa të Gardës Kombëtare.

Shtëpia e Bardhë ka bërë deklaratën e saj të urgjencës, e cila do të ndihmojë zyrtarët federalë dhe shtetërorë të bashkërendojnë ndihmën ndaj fatkeqësive.

Karaibet ende janë nën efektet e uraganit Fiona, i cili përshkoi rajonin javën e kaluar.

Duke lëvizur drejt veriut dhe drejt pjesëve të vijës bregdetare të Atlantikut të Kanadasë dhe në lindje të Quebec, Fiona mori dy jetë, dhe përmbyti shumë  shtëpitë në det duke rrëzuar edhe linjat e energjisë gjatë fundjavës./Shqip.com