Kulturë

Kthimi i Skënderbeut në atdhe dhe fillimi i qëndresës antiosmane

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

Më 3 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u rikthye në atdhe. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton këtë datë e cila hapi një faqe të re në historinë e qëndresës shekullore antiosmane.

Zoti i Arbërisë, ashtu siç Gjergj Kastrioti u vetëquajt, la fushëbetejën e Nishit, për t’iu drejtuar Krujës në krye të 300 kalorësve. Me të mbërritur, u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu

“Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj”, citohet (“Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti) të ketë thënë heroi ynë kombëtar duke iu drejtuar turmës entuziaste, më 28 nëntor 1443, kur për herë të parë në histori, në Krujë u ngrit flamuri kuq e zi.

Që prej këtij viti e gjersa u shua, qëndroi i pathyeshëm në krye të Shqipërisë në luftën 25-vjeçare kundër osmanëve. Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historiografisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar europiane.

/Shqip.com