Lajme

Kthehet në pikën zero, konkursi për Guvernator

BQK

Banka Qendrore e Kosovës ka rihapur konkursin për zgjedhjen e Guvernatorit, pas shumë kohë pritjesh për një vendim final nga Kuvendi i Kosovës.

Në fakt, Komisioni për Buxhet njëzëri kishte propozuar që procesi të kthehej në pikën zero, por se vonesat u bënë nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca për të dhënë fjalën përfundimtare.

Në konkursin e publikuar, BQK ka treguar se procesi është i hapur për 15 ditë nga sot, pra deri më 21 të këtij muaji.

Emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar nga data e emërimit, ndërsa lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili do të përzgjedhë një individ.

Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti/ja i/e Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Në konkursin e fundit, fazën deri në kuvend e kaluan 4 persona, por Komisioni për Buxhet, identifikoi një numër të madh shkeljesh të bëra nga paneli intervistues, andaj si pozita ashtu edhe opozita ishin të pajtimit që procesi nuk duhej të vazhdonte tutje, por duhej të kthehej në pikën zero.

Kundër vendimit të panelit ka qenë ish-Guvernatori, Fehmi Mehmeti, i cili madje ka dërguar në gjykatë panelin përzgjedhës, me pretendimin se i janë shkelur të drejtat e tij.

/Shqip.com