Lajme

Kthehen në punë tre zyrtarët e dyshuar në rastin “Dehari”

Astrit Dehari
Astrit Dehari

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili ka marrë vendim për kthimin në punë të zyrtarëve të kësaj ministrie, të cilët ishin larguar lidhur me rastin e vrasjes së Astrit Deharit.

Ai ka bërë të ditur se me këtë vendim, është kthyer në punë, Ylber Topallin, ish-Kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë.

“Vendimi i tillë është absurd dhe në kundërshtim të plotë me faktet dhe provat që i ka konstatuar Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë. Duket që ato fare as nuk janë lexuar nga ky Këshill. Përveç shkarkimit nga detyra të Y.T, raportin e Inspektoratit për të bëmat e tij, që ndërlidhen me rastin Dehari, e patëm dërguar në PSRK. Duket sheshit që ky Vendim i Këshillit është i ndikuar. Si të tillë do ta kontestojmë në Gjykatë, me kërkesën për masë të përkohshme”, ka njoftuar Sallahu.

Gjatë së premtes sipas tij, Këshilli, ka kthyer në punë është Destan Zogajn e Burim Buleshkajn, të involvuar direkt në rastin Dehari.

“Të dy së bashku e bashkë me Ylber Topallin pa asnjë bazë ligjore kanë bartur kamerat nga burgu i Prizrenit drejt në dorën e Dhurata Hoxhes – ish ministre e Drejtësisë. Organizimi dhe funksionimi kriminal ka adresë”.

Zëvendësministri i Drejtësisë, ka ftuar Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës që të merret me Raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë dhe me procesin e marrjes së këtyre vendimeve nga anëtarët e partive opozitare që sipas tij e sundojnë KPMSHC-në.

/Shqip.com