Lajme

Kryeziu: Në 2017 Serbia ishte vendi i parë nga ku importonim, sot është e katërta

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se në vitin 2017 Serbia ishte vendi i parë ku Kosova importonte ndërsa sot Serbia gjendet në vendin e katërt.

“Një javë i krahasojnë importet nga Serbia me vitin 2020 kur kishte masa të theksuara kufizimesh sa që shkaku i pandemisë edhe kufijtë u patën mbyllë. E kur nuk u duket e mjaftueshme, i krahasojnë me vitin 2019 kur ishte vendosur tarifa 100%. Atë vit, së paku zyrtarisht importi kishte rënie, por raftet e maketeve vazhdonin të ishin të mbushura me mallra serbe, meqë çka më parë futej zyrtarisht, kishte filluar të hynte si kontrabandë. Në vitin 2017, Serbia ishte në vendin e parë prej nga ne importonim, ndërkaq në vitin 2021 dhe këtë vit zë vendin e katërt.”, ka shkruar Kryeziu

Ai ka thënë se nuk po flitet ose po flitet rrallë për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare me shumë vende.

“Në të njëjtën kohë, rrallë herë flasin për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare, në veçanti me vendet mike si Gjermania, Turqia, e Shqipëria. Aq më pak për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimit tregtar me Shqipërinë.  Në Shqipëri e nga Shqipëria, ne sot eksportojmë dhe importojmë më shumë se çdo herë më pare”, ka shkruar më tutje Kryeziu.

Assesi nuk i sheh tek bëjnë krahasime me vitet 2018 apo 2017, vite normale të shkëmbimeve tregtare. Sepse pastaj do të detyroheshin të flisnin për rënie reale të importit nga Serbia për rreth 32%, respektivisht 20% – edhe pas rritjes së gjithmbarshme të importit, rritjes së inspektimeve dhe inkasimit të doganave si dhe mbylljes së rrugëve jo-legale që përdoreshin për kontrabandë, sidomos në veri të vendit ka shtuar më tutje Kryziu./Shqip.com