Lajme

Kryetarja e Preshevës kërkon nga Qeveria rishikimin e masave për hyrjen në Kosovë

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës rishikimin e masave për të hyrë në Kosovës, përkatësisht kushtin nevojën e domosdoshme për certifikatën e vaksinimit anti-COVID me tri doza.

Përmes një postimi në Facebook, Sinani u shpreh se kjo masë ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Preshevës, përcjell Shqip.com.

Lexo edhe:
Qeveria miraton masat e reja anti-COVID, kufizimi i lëvizjes fillon nga ora 22:00

“Duke qenë se një pjesë jo e pakët e tyre nuk mund ta marrin dozën e tretë sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin RT-PCR çdo herë që e kalojnë kufirin, kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre, etj.”, shkroi ndër tjerash ajo.

Ndryshe, të premten, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID, sipas të cilave çdo person që hyn në Kosovë, duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit të tri dozave.

“Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovés duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme: 2.1 Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe mdozë përforcuese) kundër COVID-19;

2.2 Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Qeverisë.

Ndërkaq, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve fillon nga ora 22:00 deri në orën 05:00, kurse orari i gastronomisë do të jetë nga 05:00 deri në 21:00./SHQIP.com