Lajme

Kryetarja e OSBE-së: Dialogu Kosovë-Serbi ka efekte pozitive

Kryetarja e Përgjithshme e OSBE-së, njëherësh edhe ministre e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë thotë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka efekte pozitive, por palët duhet të jenë konstruktive për t’i adresuar problemet afatgjata, njofton Shqip.com.

Ajo tutje bëri të ditur se qëllimi i kësaj vizite është fuqizimi i grave, paqes dhe sigurisë në vend, derisa e mirëpriti miratimin e Konventës së Stambollit në Kosovë.

“Kur është fjala për procesin aktual të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është proces i dialogut i lehtësuar nga BE dhe mendoj se ka mundësi të adresojë problemet afatgjate dhe kontribuoj në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. OSBE e ka mbështetur zbatimin e marrëveshjeve në fushat të cilat janë në mandatin e OSBE-së për t’u marrë me to. Unë vazhdoj të besoj fuqishëm se ka efekte pozitive në këtë dialog dhe shpresoj të vazhdojë të jetë konstruktiv”, tha ajo.

Vizitën e saj në Kosovë, Linde e quajti si demonstrim për rëndësinë që OSBE i jep bashkëpunimit me Kosovën.

“Vizita ime, po ashtu demonstron rëndësinë që OSBE ia jep bashkëpunimit me Kosovën. Në këtë aspekt dua të vlerësojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovën për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me misionin e OSBE në Kosovë. OSBE mbetet e përkushtuar të mbështes institucionet tuaja në bazë të partneritetit tonë të fuqishëm. Gjatë kësaj vizite, po ashtu do të kem privilegjin të vizitoj projektet në teren të OSBE-së në Kosovë”, shtoi ajo. /Shqip.com