Lajme

Kryetarja e Gjykatës: Siguria në Pallatin e Drejtësisë, shumë e brishtë

Gjykata Themelore në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, gjatë raportimit për tremujorin e punës, ka kërkuar të shtohet siguria në Pallatin e Drejtësisë për shkak se siguria në atë objekt është shumë e brishtë.

Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Shabani-Rama tha se duhet të shtohen punëtorët e sigurimit dhe kjo duhet të jetë prioritet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Siguria në Pallatin e Drejtësisë është shumë e brishtë, me një shikim të thjeshtë mundeni me ardhë me vizitu, me hy në Prokurorinë Themelore dhe me kalu në Gjykatë Themelore dhe me pa çfarë dallimi ka në ofrimin e sigurisë”, tha ajo.

Sipas saj, e gjithë kjo duke pasur parasysh natyrën e lëndëve dhe llojin e personave që trajtohen.

“Konsideroj që mundemi me ardhë para një akti jo të pëlqyeshëm për të gjithë”, shtoi ajo.

Veç kësaj, Shabani-Rama përmendi edhe shtimin e referentëve në gjykatë, ku tha se Këshilli ka kohë që nuk ka hapur një konkurs të tillë.

Në lidhje sigurinë, kryesuesi Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, tha se janë duke u bërë specifikat për të gjitha degët dhe shumë shpejt do hapet tenderi për punëtorë të sigurimit, pasi kjo ka qenë shqetësim edhe i gjyqtarëve.

Ndërsa, edhe për referentë tha se është duke u adresuar.

Ndryshe, në mbledhjen e Këshillit po raportojnë kryetarët e të gjitha gjykatave, ku kanë treguar përformancën dhe sfidat e gjykatave.

/Shqip.com