Lajme

Kryetari i Gjakovës, Gjini: Kurti do të na dërgojë në humnerë të gjithëve

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, është shprehur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe veprimet e tij “do të na dërgojë në humnerë të gjithëve”.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, njëherësh edhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se nuk mund ta pranojnë draft-statutin e Asociacionit, sepse janë në opozitë.

“Arsyeja pse ne po provojmë që t’ia bëjmë pak më të lehtë, të kryejmë diçka që nuk kemi çare pa e kryer si vend. Nuk është për oportunizëm politik, është për me i ndihmu vendit për të dalë prej disa kurtheve që është”, ka thënë Gjini në “Debat Plus“.

Gjini ka thënë se disa pika të draft-statutit të Asociacionit janë të vështira dhe se kanë qenë më herët se kryeministri Kurti në këtë pozitë.

“E ai duke i gënjyer njerëzit që e ka gjoksin më të madh se të gjithëve, që ka me i dhanë shpulla krejt botës, na ka sjellur në një pozitë që do të na dërgojë në humnerë të gjithëve”, ka thënë tutje ai.

Gjini është shprehur se nuk kanë pasur nevojë politike për t’i ndihmuar kryeministrit, por Kosovës.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të sotëm me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se me të kanë biseduar për disa çështje me rëndësi.

Kurti ka bërë të ditur se emisarit amerikan ia ka theksuar nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Ndërsa emisari, Gabriel Escobar, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur për çështjen e dinarit serb.

Escobar ka theksuar se kryeministri Kurti i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit.

Kujtojmë që 19 mars të këtij viti, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq pritet të takohen në Bruksel.

Një takim për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve.

“Duhet të pranoj se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash, e këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë. Është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë. Shpresoj që qeveria është pajtuar të jetë fleksibile në këto diskutime në dialog të martën. Në ndërkohë e kam përgëzuar kryeministrin për vendimin që ka marrë për Deçanin. Ishte vendim i vështirë, por i duhur”, ka thënë emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

/Shqip.com