Lajme

Kryetari i Bujanocit kërkon rishqyrtim të masave për të hyrë në Kosovë: Studentët janë kthyer në kufi

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi thotë se për shkak të masave anti-COVID për të hyrë në Kosovë, studentët atje janë kthyer në kufi, përcjell Shqip.com.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rishqyrtohet vendimi për të mos lejuar hyrjen në Kosovë të personave që nuk kanë dozën e tretë të vaksinës anti-COVID.

“Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve nga Lugina e Preshevës në drejtim të Kosovës për ata të cilët nuk e kanë marrë dozën e tretë, është shqetësim shumë i madh dhe kemi shumë probleme në këtë drejtim.

Problem është paraqitur dje, disa student që studiojnë në Universitetin e Prishtinës dje janë kthyer nga policia kufitare dhe nuk kanë pas mundësi të kalojnë. Është shqetësim shumë i madh, studentët i kam pranuar sot në kabinetin tim”, tha Arifi në T7.

Sipas tij, ky vendim i Qeverisë paraqet problem të madh te qytetarët e Luginës.

“Në mëngjes kam dërguar kërkese të kryeministri Kurti, që vendimi të shqyrtohet dhe t’i lehtesohet qytetarëve qarkullimi i lirë në drejtim të Kosovës. Jam i bindur që Qeveria e Kosovës këtë vendim ta shqyrtojë sa më shpejtë, asnjë shtet tjetër nuk kërkon që t’i kenë tri doza. Një student ka marrë dozën e dytë para 10 ditëve dhe nuk mund ta marrë dozën e tretë pa kaluar tre muaj”, u shpreh ai tutje./SHQIP.com