Kryetarët e Komunave kërkojnë heqjen e orës policore nga 17 tetori
Kryetarët e Komunave të Kosovës kanë kërkuar heqjen e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve nga 17 tetori, përcjell Shqip.com.
Përmes një komunikate, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se i ka dërguar një letër ushtrueses së detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, lidhur me këtë kërkesë.
Sipas komunikatës, Kryetarët e Komunave kërkojnë heqjen e orës policore pasi që këtë ditë janë zgjedhjet lokale dhe se ata që fitojnë pa balotazh, “do të jetë pothuajse e pamundur që në ato komunat të ndalen festimet e mundshme të qytetarëve”.
“Për këtë arsye por edhe për faktin se të dielën kemi zgjedhjet lokale Kryetarët e Komunave mendojnë që; 1. Ka ardhur koha që të hiqet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve (ora policore) nga data 17 tetor 2021. 2. Mendojmë se do të ishte shumë e arsyeshme që të hiqet edhe ndëshkimi i qytetarëve në rastet kur një person i vetëm është në lëvizje dhe nuk bartë maskën.
Këto do të duhej të ndodhnin edhe për arsyet si: a. Ditën e 17 tetorit mund te këtë komuna që kryetarët fitojnë pa balotazh, andaj do të jetë pothuaj e pamundur që në ato komunat të ndalen festimet e mundshme të qytetarëve. b. Duke ditur se procesi i numërimit të votave do të mund të vazhdoj deri natën vonë, Vëzhguesit dhe komisionerët, të cilët do të jenë në numër të konsiderueshëm, do të lëvizin edhe pas orës 22.00”, thuhet ndër tjerash në kërkesë.
Tutje, sipas komunikatës, kërkohet që të hiqet edhe ndëshkimi i qytetarëve në rastet kur një person i vetëm është në lëvizje dhe nuk bartë maskën./SHQIP.com