Lajme Botë

Kryeministrja e Finlandës: Evropa do ishte në telashe pa mbështetjen e SHBA-ve

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, ka deklaruar se Evropa nuk është “mjaft e fortë” për t’i bërë ballë pushtimit rus të Ukrainës e vetme, ndaj i duhet mbështetja e SHBA-ve.

Gjatë një vizite në Australi, udhëheqësja e Finlandës u shpreh se: “Duhet të jem e sinqertë me ju, Evropa nuk është mjaft e fortë tani. Do të ishim në telashe pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, raportojnë mediat e huaja.

Kujtojmë që SHBA-ja ka qenë mbështetësja më e madhe ushtarake që Ukraina ka pasur që nga fillimi i luftës. Që prej 24 shkurtit, ditës së nisjes së luftës, Ukraina ka marrë 18.6 miliardë dollarë nga SHBA.

Instituti Kiel për Ekonominë Botërore, ka deklaruar se donatori i dytë më i madh është Bashkimi Evropian, i ndjekur nga Britania, por financimet e tyre janë dobësuar.

Duke folur në Institutin Lowy në Sydney ditën e sotme, Sanna Marin mes tjerash u shpreh se: “SHBA-të kanë dhënë shumë armë, ndihma financiare, ndihma humanitare për Ukrainën dhe Evropën”.

/Shqip.com