Lajme Botë

Kryeministrja daneze zgjedh rivalët e djathtë si ministra kyç në qeverinë e re

Jakob Ellemann-Jensen i Partisë Liberale, kryeministrja Mette Frederiksen e Social Demokratëve dhe Lars Lokke

Kryeministrja socialdemokrate e Danimarkës, Mette Frederiksen, emëroi të enjten rivalët politikë me prirje të djathtë si ministra kyç në qeverinë e saj të re, dypartiake të orientuar drejt reformave.

Udhëheqësi i opozitës, Jakob Ellemann-Jensen i Partisë Liberale u emërua zëvendëskryeministër dhe ministër i mbrojtjes, ndërsa ish-kryeministri dhe kreu i partisë së sapoformuar të Moderatëve, Lars Lokke Rasmussen, u emërua ministër i Jashtëm.

Frederiksen nga Partia Social Demokrate fitoi më shumë se një të katërtën e votave në zgjedhjet e përgjithshme të 1 nëntorit. Ata fituan numrin më të madh të ulseve në parlament dhe të martën u dakorduan ta krijonin një koalicion të rrallë përtej ndarjeve politike.

Koalicioni ra dakord pasi Partia Liberale dhe të Moderuarit bënë një lëshim, duke hequr dorë nga thirrjet për një hetim të pavarur ligjor mbi rolin e Frederiksen gjatë pandemisë COVID-19.

Kjo në fakt shënon fundin e një skandali politik gjatë mandatit të parë të Frederiksen, i cili çoi në largimin e një ministre të bujqësisë dhe kritika të ashpra ndaj saj për “mashtrimin e madh” të publikut.

Nicolai Wammen i Partisë Social Demokrate ruajti rolin e tij si ministër i financave.

Qeveria e re ka vënë gjithashtu në dorë ish-kreun e organizatës lobuese të kompanive daneze të energjisë, Lars Aagard. Ky i fundit nuk është deputet i zgjedhur, por do ta drejtoj ministrinë e klimës, energjisë dhe shërbimeve.

Ministri në largim i klimës, Dan Jorgensen do të drejtojë tani një ministri të re për bashkëpunimin zhvillimor dhe politikën e jashtme globale të klimës, shkruan Reuters.

Ndërsa, tetë nga 23 ministra në koalicionin e ri janë gra.

/Shqip.com