Lajme

Kryeministria jep detaje nga takimi Kurti-Lajcak

Sot gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se në takim u bisedua për procesin e bisedimeve dhe përgatitjet për takimet e radhës në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës, mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, që në qendër duhet ta ketë njohjen reciproke.

Gjithashtu në takim u fol edhe për Raportin e Komisionit Evropian, që sipas Kurtit ishte dukshëm më i mirë se vitin e kaluar dhe se tregon përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së.

“U bisedua për çështjet aktuale, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës”, shkruhet në njoftimin e kryeministrisë.

Vizita e përfaqësuesit të BE-së, Lajcak, vje në kohën kur në Kosovë po pritet të ketë zhvillime pozitive sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

Përndryshe, Lajcak ka deklaruar se të hënën do të vizitojë Beogradin dhe se agjenda do të jetë e njëjtë, ku priten diskutime mbi targat, energjinë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve./SHQIP.com

/Shqip.com