Kryeministri spanjoll merr pjesë në Samitin e Sllovenisë, por kërkohet të largohen simbolet shtetërore të Kosovës
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez do të marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor krahas Kosovës.
Por, gazeta spanjolla El Periódico, ka raportuar se Madridi i është garantuar se Kosova nuk do të ketë simbole.
”Presidenti i Qeverisë, Pedro Sánchez, do të marrë pjesë të mërkurën e ardhshme në samitin BE-Ballkani Perëndimor në të cilin do të marrë pjesë Kosova, por është garantuar që, për shkak se Spanja nuk e njeh këtë territor si vend, nuk do të ketë simbole në takim që ju identifikon si të tillë”, thuhet në raportimin e gazetës.
Shqip.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës. Por, nuk kishin qasje.
Spanja samitet e kaluara për Ballkanin Perëndimor i kishte injoruar, pikërisht për shkak të Kosovës.
Përkundër këtij qëndrimi ndaj Kosovës, Madridi është mbështetës i dialogut Kosovë – Serbi, pasi është në linjën që BE-ja të zgjerohet.

Vitin e kaluar takimi ishte mbajtur përmes video-konferencës shkak i pandemisë COVID-19.
Përpos Spanjës edhe Greqia, Sllovakia, Rumania e Qipro se kanë njohur Kosovën si shtet.
Ndryshe kanë vepruar 22 shtete të BE-së që e njohën Kosovën.
Por, qëndrimi i Brukselit në raport me Kosovën “është peng” shkak i këtyre pesë shteteve mosnjohëse.
Më problematike ka qenë Spanja, pasi çështjen e Kosovës e lidh me atë të Katalunisë.
Ndërsa, Athina zyrtare ka treguar konstruktivitet më të madh – Greqia ka edhe zyre ndërlidhëse dhe krerët e saj vizitojnë Prishtinën sipas protokollit zyrtar. /Shqip.com