Lajme Ballkan

Kryeministri Kurti takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Takimi është realizuar gjatë ditës së dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik në Delphi, me ç’rast Kurti e falënderoi kryediplomatin grek për përkrahjen e vazhdueshme të Athinës zyrtare ndaj Kosovës në proceset integruese.

Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mënyrat se si ato mund të avancohen më tej, veçanërisht në rrafshin ekonomik, teksa shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja kanë shënuar rritje viteve të fundit, ishin pjesë qendrore e takimit, njofton Qeveria e Kosovës.

Gjatë takimit po ashtu është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të dielën e javës së kaluar, “nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik me 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.

Takimi i sotëm i kryeministrit Kurti me ministrin Dendias ishte i dhjeti në dy vite. Muajin e kaluar, ministri grek Dendias kishte vizituar Kosovën, që ishte vizita e tij e gjashtë zyrtare në Kosovë.​

/Shqip.com