Lajme

Kryeministri Kurti aktiv edhe gjatë vikendeve, bën akuza ndaj mediave

Mbledhjet e partisë zakonisht i mban vikendeve.

Aty, si askund tjetër, kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjen hapësirën pa i ndërhyrë askush që të thurë lavde për qeverisjen e saj.

Krahas kësaj, ai nuk kursen as akuzat për këdo që i bie ndërmend.

Ngjashëm veproi edhe gjatë së shtunës, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë që drejton.

Fillimisht, bashkëpartiakët ai i udhëzoi e iu dha direktiva se si t’iu qasen qytetarëve.

“Qendra duhet të planifikoj e realizoj aktivitete që ndërlidhen drejtpërdrejt me shqetësimet kryesore të lokalitetit përkatës, që mund të jetë lagje a fshat në një komunë të caktuar. Duhet të jemi afër me qytetarin përmes komunikimit dinamik me të”.

Kryetari i partisë që tradicionalisht ka pasur në shënjestër mediat për kritika e akuza, dha shembullin e kësaj edhe kësaj here.

“Shumë nga lajmet e vendimet që merr qeveria jonë, s’paraqiten fare ose në rastin më të mirë, paraqiten pjesërisht në pjesën dërmuese te spektrit mediatik në Kosovë”

E siç e ka të rëndësishme gjithherë, kryeministri edhe nga këtu një pjesë të fjalimit të tij ia dedikoi edhe pushteteve të mëparshme.

Ai u shpreh se “s’do t’i zgjedh metodat e pararendësve për sponsprozime që në thelb janë fasadë”.

“Ne kemi komunikuar në vazhdimësi me qytetarët. S’e kemi ndërprerë komunikimin direkt me ta. Prandaj të arriturat e Qeverisë, vendimet që merren duhen paraqitur dhe shpjeguar për qytetarin nga strukturat e Lëvizjes. Vetëm kësisoj informacioni është i drejt, objektiv dhe i padevijuar”,

Që nga marrja e mandatit, kryeministri Albin Kurti ka qenë shumë pak i pranishëm nëpër intervista në mediat kosovare, kurse iu ka ikur tërësisht ballafaqimeve në debate televizive. /T7

/Shqip.com