Lajme

Kryeministri kroat liston hapat që duhet të merren në veri të Kosovës

Andrej Plenkoviq - Kryeministri i Kroacisë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se vendi i tij dëshiron paqe, deeskalim të situatës dhe zgjedhje të reja në veri të Kosovës.

“Duam deeskalim pas të gjitha incidenteve të muajve të fundit, e që nuk ishin pak. Porosia e dytë, duam sa më shpejt të mbahen zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Zgjedhjet duhet të jenë të sigurta. Në zgjedhjet e fundit pati bojkot. Unë isha në Podgoricë bisedova me përfaqësuesit e Kosovës, e dëgjova edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Po ashtu në Vojvodinë bisedova me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq. Mora pikëpamjet e të dy liderëve”, ka thënë kreu i qeverisë kroate, para mbajtjes së Samitit të BE-së, ku pikë diskutimi do të jetë edhe situata në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, ekziston gatishmëria për organizimin e zgjedhjeve, por duhet të jenë gjithëpërfshirëse, pasi nëse të njëjtat bojkotohen, atëherë veriu i Kosovës do të gjendet sërish në situatë të njëjtë.

/Shqip.com