Lajme

Kryeministri i Malit të Zi dënon dhunën ndaj shqiptarëve: Keqardhje! Po punojmë për kapjen e autorëve

Milojoko Spajic, kryeministri i Malit të Zi ka reaguar pas rastit të dhunimit barbar pranë Kotorrit të tre shqiptarëve nga Shqipëria, të cilët po udhëtonin me një automjet me targa gjermane.

Ata u sulmuan në zonën e Herceg Novit nga tetë persona të veshur me uniforma ushtarake.

Spajiç ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur, duke shtuar se shqiptarët do të jenë të mirëpritur në Malin e Zi që sipas tij do të jetë një vend i sigurtë dhe i qetë.

Kreu i qeverisë malazeze deklaron se autorët do të arrestohen dhe do të vihen para përgjegjësisë ligjore.

“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët”, ka shprehur Spajiç.

Sakaq, ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka falenderuar Kryeministrin e Malit të Zi Milojoko Spajic, i cili reagoi për rastin e dhunës. Ndërsa më herët ministri Balla zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, Danilo Šaranović.

Ministri Balla i ka kërkuar homologut të tij malazez informacion lidhur me ngjarjen, ndërsa ka falenderuar Policinë e Malit të Zi për reagimin e menjëhershëm.

/Shqip.com