Lajme

Kryediplomatja Gërvalla: Në janar të vitit 2024 udhëtojmë pa viza

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se qytetarët e Kosovës më në fund do të mund të udhëtojnë pa viza për në vendet evropiane nga 1 janari i vitit 2024.

“Mos të harrojmë që për herë të parë kemi një datë finale – 1 janarin 2024, kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave pavarësisht se çfarë ndodhë me sistemin e ETIAS”, tha ajo.

Për kryediplomaten kosovare, kushti për sistemin ETIAS që ishte vendosur nga Franca, ka ngritur një shqetësim në fillim.

“Ne kemi pasur një shqetësim të madh kur u ngrit çështje e ETIAS, sepse ai sistem ka qenë i paraparë të hyjë në shfrytëzim në nëntor të këtij viti por nuk ka hyrë, është shtyrë për maj të vitit të ardhshëm, është shtyrë përsëri për në nëntor 2023″, tha Gërvalla.

Gërvalla nuk e ka përjashtuar mundësinë që regjimi i vizave të largohet para janarit të 2024.

“Sukses është që kemi një datë finale, sukses është që të mund të ndodhë edhe më herët, por jo më larg se 1 janari 2024, më në fund kemi një datë fikse, pa kusht”, tha ajo për Kallxo.com

Të martën, ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

/Shqip.com