Lajme

Kryediplomati grek nesër viziton Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, do të vizitojë sërish Kosovën. Nesër, më 12 mars 2023, Dendias do të qëndrojë në kryeqytetin kosovar.

Në këtë vizitë zyrtare, kryediplomati grek fillimisht do të zhvillojë një takim kokë më kokë me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.

Ministria e Jashtme e Greqisë ka njoftuar se më pas, Dendias  do të pritet edhe nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, e ku ky i fundit do të shtrojë edhe një drekë për nder të tij.

“Diskutimet gjatë vizitës pritet të fokusohen në zhvillimet në dialogun Beograd-Prishtinë dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, shkruan në njoftim.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Dendias do të ketë një takim edhe me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz.

Vizitat e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë në Kosovë janë shumë të shpeshta.

Ai ishte  për vizitë zyrtare në Kosovë, në qershor të vitit të kaluar. Por pa kaluar as shtatë muaj, në dhjetor 2022, ai erdhi sërish në kryeqytetin kosovar.

Edhe atëherë ministri Dendias ishte pritur nga zyrtarët më të lartë të shtetit, kurse në aeroport, mirëseardhje i kishte dëshiruar ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla.

Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Por, qasja e saj karshi Kosovës ka qenë konstruktive, e sidomos përgjatë viteve të fundit.

Kontaktet e Greqisë me Kosovën kanë shënuar ngritje, sidomos nga viti 2019, kur drejtimin e qeverisë e mori kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Kontaktet e Greqisë me Kosovën filluan të shtohen nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili në këtë post u vendos në korrik të vitit 2019.

Vetëm pak më shumë se një vit pasi mori detyrën, me 9 tetor 2019, Dendias mbërriti në Prishtinë, në vizitë zyrtare.

Në atë kohë, në takim me kryeministrin Avdullah Hoti, Dendias kishte thënë se “Greqia është e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin euro-atlantik”.

Gjithashtu, para dy vitesh, në takim me ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, kjo e fundit ishte shprehur se homologu i saj grek, i kishte dhënë mbështetje Kosovës për liberalizimin e vizave, raporton RTKlive.

Dendias ishte në Kosovë edhe në tetorin e vitit 2020 ku u prit nga zyrtarët më të lartë të Kosovës.

Më vonë, në qershorin e vitit 2021, Dendias kishte ardhur sërish për vizitë në Kosovë.

Ai ishte pritur nga presidentja Vjosa Osmani, kurse në konferencë me homologen e tij, ministren e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, ministri grek kishte thënë se vizita e tij, shërben për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën, sidomos ato ekonomike dhe tregtare.

Gërvalla kishte thënë se palët janë pajtuar që Zyra e Kosovës në Athinë, nga një zyrë me status të thjeshtë, të ngrihet në zyrë politike, ndërkohë që një zyrë e tillë greke ka vite që funksionon në Prishtinë.

Kontaktet mes Kosovës e Greqisë, nëpërmjet ministrit të jashtëm grek kanë vazhduar edhe më tej në forma të ndryshme, raporton RTKlive.

Ai ka pasur takime me homologen e tij, Gërvalla si edhe me kryeministrin Albin Kurti edhe gjatë punimeve të samitit “Delfi” të mbajtur në Greqi.

/Shqip.com