Lajme

Kriza me energjinë, themelohet Komiteti Teknik Emergjent

Ilustrim

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marr vendim që të themelojë Komitetin Teknik Emergjent pjesë e së cilit Komitet do të jenë përfaqësuesit e dhjetë institucioneve relevante të energjisë që për qëllim kanë hartimin e rekomandimeve për minimizimin e pasojave nga  kriza energjetike.

“Komiteti Teknik Emergjent ka këtë përbërje:  përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Universal (KESCO)”, bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Ekonomisë.

Qysh në mbledhjen e  parë ky komitet ka nxjerrë rekomandim që me qëllim të mbulimit të konsumit për këtë situatë të krijuar KEK-u t’i ofrojë Operatorit të Sistemit të Distribucionit(KEDS) energjinë e siguruar, sipas kushteve të parapara në MFSH.

““Komiteti teknik ka si qëllim që të identifikojë ndikimin e mundshëm në situatën emergjente të furnizimit me energji, operimit dhe likuiditetit në tregun e energjisë, menaxhimin e situatës, si dhe rekomandimin e mënyrave të minimizimit të efekteve negative si në furnizim ashtu edhe në treg gjatë situatës emergjente”, thuhet në komunikatë. 

Ndryshe, furnizuesi Publik (KESCO) dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), në bazë të orarit të kufizimit të energjisë elektrike, bëjnë të ditur se ato mund të dallojnë nga dita në ditë në varësi nga ngarkesa dhe energjia e siguruar nga palët për të mbuluar konsumin e energjisë elektrike në vend.

Në njoftimin publik që ka bërë KOSTT-i, qartëson se për oraret e kufizimeve qytetarët duhet të drejtohen në KEDS.

Më tej, shtojnë se gjendja e krizës energjetike do të përballohet më me lehtësi nëse qytetarët e shfrytëzojnë rrymën në mënyrë sa më racionale dhe duke kursyer aty ku është e mundur./Shqip.com