Lajme

Kreu i SPAK-ut: Duam që për 5 vjet të bjerë miti i pandëshkueshmërisë

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një takim me studentët në qytetin e Shkodrës u shpreh këtë të enjte se Prokuroria e Posaçme po tenton të thyejë mitin e pandëshkueshmërisë, pavarësisht emrit apo pushtetit të individit.

“Objektivat janë që pas 5 vitesh SPAK të ketë dhënë prova që në Shqipëri ka rënë miti i pandëshkueshmërisë, domethënë që zyrtarët e nivelit të lartë do merren në përgjegjësi penale”, u shpreh ai, teksa shtoi se ky është “objektiv i arritshëm.”

Ai shtoi më tej se, për të folur për suksese do duhet të pritet vendimi i gjykatave për subjektet e nivelit të lartë.

“SPAK në dhjetor bëri 4 vjet nga krijimi. Ai është bërë funksional vetëm vitin e kaluar pasi u plotësua organika. I kushtojmë rëndësi kryesore integritetit. Duhet të kesh vlera profesionale dhe integritet në detyrat e mëparshme. I nënshtrohemi vettingut, heqim dorë nga privatësia, kemi dorëzuar e-mail, nr tel, e çdo gjë tjetër. Ndërsa drejtuesit e BKH i nënshtrohen edhe testit të poligrafit. Mirë ka bërë ligjvënësi që ka vënë këto kritere. Jemi përpjekur të vendosim njerez me integritet. Koha do ta tregojë pasi jo çdo gjë shkon vaj. Kemi dhënë shenja se jemi në gjendje të përballemi me grupet kriminale, përtej forcës që kanë dhe lidhjeve edhe me politikën. Jemi përditë në këtë luftë. Kemi dhënë shenja. Për të folur për suksese duhet të presim vendimin e gjykatave, për subjektet e nivelit të lartë. Po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë. Është e lodhshme, por jo e pamundur”, tha Dumani para studentëve, takim ky që vjen në kuadër të një projekti të Komitetit Shqiptar të Helsinkti mbi luftën kundër korrupsionit.

Në takimin që u zhvillua pa praninë e kamerave, Dumani mësohet të jetë shprehur po ashtu se SPAK i ka të gjitha kapacitetet për t’u përballur me grupet kriminale.

“Kemi kapacitet për t’u përballur me grupet e strukturuara kriminale, kemi dhënë prova. Ne çdo ditë hetojmë, marrim persona nën hetim. Në SPAK kemi ndryshuar filozofinë e kërkimit të provës me metoda speciale. Kemi përdorur të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara dhe kemi investuar në teknologji”.

Bashkëbisedimi në fjalë u mbajt në Universitetin e Shkodrës dhe vjen në kuadër të një projekti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për luftën kundër korrupsionit.

/Shqip.com