Lajme Botë

Kreu i Çeçenisë ofron 500 mijë dollarë për kokat e komandantëve ukrainas

Ramzan Kadyrov, kreu i Çeçenisë, që njihet si patericë e presidentit rus, tashmë nga servilizmi ndaj Putinit, është shndërruar në komik. Ai ka premtuar se do t’i japë 500 mijë dollarë për kokën e secilit “komandant të nacionalistëve ukrainas”.

Ai ka shkruar për këtë në kanalin e tij në telegram.

“Shpallet një shpërblim për kokat e komandantëve të nacionalistëve ukrainas: Bandera, “Azov”, batalioni i shejtanëve të Dudayev. E them këtë jo si zyrtar, por si vullnetar në emër të patriotëve të Rusisë, të njëjtëve vullnetarë që kanë mundësi financiare dhe që kanë shprehur dëshirën të paguajnë 500 mijë dollarë për kokën e çdo komandanti”, ka shkruar ai në telegram.

Kadyrov shtoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të “mendojë kokë dhe të kuptojë se asnjë bunker nuk do ta shpëtojë atë”.

Sipas mendimit të tij, Zelensky “mbart përgjegjësi personale për vdekjen e ushtarëve ukrainas dhe të ardhmen e popullit të tij”.

Kadyrov theksoi se e vetmja rrugëdalje nga lufta është “përmbushja e plotë e kushteve” të Rusisë.