Sport Shqiptar

Kreshnik Uka – “Diamanti” që po shkëlqen te Drenica

Kreshnik Uka - njeriu i golave te Drenica

Në prag të nisjes së kampionatit, Drenica nuk ishte e veshur me “petkun” e favoritit për kreun e tabelës në Superligën e Kosovës.

Por, pas 13 xhirove të zhvilluara, ekipi nga Skenderaj është vetëm katër pikë larg Ballkanit që është lider, ndërsa pozicionohet në vendin e katërt.

Një nga më meritorët për këto rezultate të “Shqiponjave të Zeza”, është sulmuesi Kreshnik Uka, i cili ka tundur rrjetën gjashtë herë dhe është golashënuesi më i mirë i skuadrës.

Në një intervistë për Shqip.com, ai ka treguar shumëçka nga forma individuale dhe ekipore, synimet për të ardhmen dhe shumë detaje tjera.

Uka tha se çelësi i rezultateve të mira te Drenica është puna e grupore, ndërsa po e synojnë daljen në Evropë.

Mund të jetë një imazh i 2 persona, duke përfshirë Kreshnik Uka, persona që luajnë futboll dhe ambiente të jashtme
Kreshnik Uka-gjatë një ndeshje kampionale me Drenicën

“Për momentin jemi duke ecur shumë mirë. Çelësi i këtyre sukseseve deri më tani është se bazohemi te grupi dhe jo individët. Klubi në këtë sezonë si objektiv e ka daljen në Evropë”.

“Normal, sezoni prej sezonit dallon shumë, këtë vit kemi objektiva tjera dhe kur ndryshojnë objektivat, mendoj se edhe loja është krejt tjeter prej sezoneve të kaluara”, tha ai.

Ndërsa, për formën individuale që po e kalon, sulmuesi u shpreh se i është dashur “shumë punë dhe sakrificë e jashtëzakonshme për të arritur një formë të mirë personale”.

“Do të vazhdoj me punë që ta mbaj këtë formë deri fund të kampionatit”.

Kurse, i pyetur nëse e synon që të bëhet golashënuesi më i mirë në Superligë, ai tha se për të është primare që t’i ndihmojë skuadrës – me sa më shumë gola dhe asistime dhe gjërat tjera vijnë pastaj.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe në këmbë
Kreshnik Uka – duke e pranuar çmimin “Ylli i Javës” në xhiron e nëntë të Superligës

Për shkak të pozitës së tij në fushën e gjelbër, duelet me mbrojtës janë të pashmangshme, ndërsa ai i përmendi futbollistët më të vështirë ndaj të cilëve është përballur.

“Ka shumë mbrojtës të fortë në ligë, por mendoj se dy mbrojtesit më kualitativ më të cilët jam përballur, janë Armend Thaqi dhe Leotrim Bekteshi”, shtoi top golashënuesi i Drenicës.

Për fund, Kreshniku tha se futbollisti që e ka shtyer ta “dashurojë” lojën e futbollit është Ronaldo Da Lima, kurse si qëllim e ka ta vazhdojë karrierën jashtë vendit. /Shqip.com