Lajme

Krerët e shtetit takohen për çështjen në veri, opozita s’e pranon ftesën

Krerët e shtetit së bashku me ministren e Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla si dhe ministrin e Ministrisë së Brendshmë, Xhelal Sveçlen janë takuar në mes vete që të vazhdojnë koordinimin në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.

Siç ka  njoftuar zyra e presidencës në takim ishin të ftuar edhe liderët e opozitës por që nuk kanë marrur pjesë.

“Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Zëvendës Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Shwarz, si dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë realizuar takim më qëllim të vazhdimit të koordinimit ndërinstitucional në lidhje me zhvillimet e fundit në vend. Në takim ishin të ftuar edhe liderët e opozitës të cilët nuk kanë marrë pjesë”, thuhet në njoftimin e ZP-së.

Barrikada rrugës për në Bërnjak

Po ashtu, thuhet se institucionet do të vazhdojnë të kenë kontakte të rregullta dhe konsultimet me opozitën me qëllim të koordinimit mbi çështjen dhe interesin nacional.

Tutje, thuhet se do të vazhdohet koordinimi i plotë dhe komunikimi i rregullt me aleatët strategjik.

Kujtojmë se në veri të vendit barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të SHBA-së dhe BE-së ka shtyrë zbatimin e vendimeve – që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti – duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

 Qeveria pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator./Shqip.com