Lajme

Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Izbicë

Dy krerët e shteti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe me rastin e 24 vjetorit të Izbicës.

Osmani tha se Liria e Kosovës ka ardh falë viktima të luftës e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo ka qenë një ndër masakrat më të tmerrshme të Serbisë, të shtetit gjenocidal serb ndaj popullit shqiptar. Dhe krimi nuk përfundoi me vrasjen dhe masakrimin e qytetarëve tanë në Izbicë, por u dyfishua atëherë kur forcat serbe zhvarrosën të vrarët dhe i rivarrosën ata në varrezat masive në vende të ndryshme në Serbi dhe në Kosovë”, tha Osmani.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Tha se aktakuzat e krerëve të Serbisë e kanë bazën e kësaj masakre.  

Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Sot 24 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

/Shqip.com