Lajme

Krasniqi: Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur kauzë të qartë dhe mision të shenjtë, lirinë e popullit të Kosovës

Memli Krasniqi - kryetar i PDK-së
Memli Krasniqi - kryetar i PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasnqi ka përshëndetur iniciativën e Shqipërisë drejt Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, lidhur me kërkesën për të rishikuar rezolutën e KE-së që merr për bazë raportin e Dick Martyt.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj shtetit shqiptar, që tashmë edhe zyrtarisht është vënë në mbrojtje të së vërtetës së luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta çliruar këtë të vërtetë nga pretendimet e fabrikuara e të pabaza kundër lirisë dhe pavarësisë sonë. Adresimi i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së që merr për bazë raportin e Dick Martyt, është hapi i parë në rrugën tonë të përbashkët drejt konfirmimit të së vërtetës, të drejtës e drejtësisë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka ftuar institucionet e Kosovës që t’i përgjigjen këtij rrugëtimi dhe të angazhohen në lobimin e miqve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht në Këshillin e Evropës.

“Ftoj institucionet e Kosovës që t’i përgjigjen këtij rrugëtimi dhe të angazhohen në lobimin e miqve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht në Këshillin e Evropës, duke trokitur në çdo derë ku është e nevojshme, sepse e vërteta i duhet në radhë të parë shtetit të Kosovës, për ta hequr përgjithmonë perden e imazhit të rëndë që ka hedhur mbi UÇK-në, raporti fantom i Dick Martyt”, ka thënë Krasniqi.

Nota verbale e shtetit të Shqipërisë

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur kauzë të qartë dhe mision të shenjtë: lirinë e popullit të Kosovës. Asgjë nuk e zhbën e s’do të mund ta zhbëjë të vërtetën e kësaj kauze dhe këtij misioni, ka shtuar më tutje Krasnqi./Shqip.com