Lajme

Krasniqi uron amerikanët për përvjetorin e pavarësisë

Memli Krasniqi - Kryetar i PDK-së
Memli Krasniqi - Kryetar i PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka uruar amerikanët për përvjetorin e pavarësisë.

Në këtë ditë, Krasniqi tha se rikujtojnë “fjalët e etërve themelues të këtij shteti” si dhe “parimet për të cilat ata qëndronin, për një komb të bashkuar, të drejtë dhe të lirë”.

Kreu i opozitës shkroi se PDK-ja mbetet “tejet e përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e miqësisë dhe aleancës së shenjtë mes popujve dhe shteteve tona”.

Shkrimi i plotë:

Për të gjithë popullin dhe institucionet amerikane, sidomos për amerikanët që punojnë e shërbejnë në Kosovë – Urime Dita e Pavarësisë!

Në shënimin e 247 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rikujtojmë fjalët e etërve themelues të këtij shteti dhe parimet për të cilat ata qëndronin, për një komb të bashkuar, të drejtë dhe të lirë.

Këto vlera, mbi të cilat është fuqizuar SHBA – vendi që është fanar dhe garantues i demokracisë në botë, njëkohësisht vendi më mik i Kosovës, shërbejnë si udhërrëfyes për paqe dhe barazi kudo në botën demokratike.

Përpjekjet tona për çlirim dhe pavarësi u finalizuan suksesshëm me ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve. Me diplomaci të përkushtuar, politikë të vendosur dhe angazhim të vazhdueshëm, SHBA-të u bënë zëri i drejtësisë për popullin e Kosovës. Para, gjatë dhe pas luftës për liri. Edhe sot e kësaj dite!

PDK mbetet tejet e përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e miqësisë dhe aleancës së shenjtë mes popujve dhe shteteve tona. Gëzuar 4 Korrikun!

/Shqip.com