Lajme

Krasniqi: S’e mbështesim marrëveshjen sipas versionit aktual

Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë për se nuk do të votojnë marrëveshjen me Serbinë në Kuvend, në formën e tillë siç është dakorduar në bazë të planit të Bashkimit Evropian.

Krasniqi thotë se kjo është marrëveshje ndërkombëtare dhe duhet të sillet në Kuvend për ratifikim, përndryshe nuk do të ketë validitet legal.

“Kjo është marrëveshje ndërkombëtare dhe duhet të sillet në Kuvend për ratifikim, përndryshe nuk do të ketë validitet legal, nuk do të jetë obligativ. Kjo është shumë e rëndësishme të thuhet dhe sqarohet. Marrëveshja si e tillë i përmbushë kriteret që kërkohen nga neni 18 i Kushtetutës dhe duhet të sillet në Kuvend për ratifikim…Në momentin që një gjë e tillë arrihet ne do t’i vazhdojmë diskutimet tona, duke përfshirë mbledhjet e Këshillit Drejtues, kryesisë së partisë, diskutimeve të hapura për të vendosur për qëndrimin final. Por, një gjë ua them kështu si është kjo marrëveshje nuk mund të ketë mbështetjen tonë”, thotë Krasniqi.

Më tutje ai shprehet se neni shtatë është neni më problematik i krejt kësaj marrëveshjeje.

“Neni shtatë është neni më problematik i krejt kësaj marrëveshjeje. Esencialisht rrezikon të krijojë një status të një autonomie politike për komunitetin serb në njërën anë, po ashtu edhe një status të ekstraterritorialitetit religjioz për Kishën Ortodokse Serbe në anën tjetër. Tashmë liderët e shtetit po e pranojnë që është koncesion, por ende s’po tregojnë çfarë koncesioni është vërtet dhe çfarë niveli e dëmton rregullin kushtetues të Kosovës”, deklaron ai për Kosovapress.

Në anën tjetër, Krasniqi potencon se në bazë të takimeve me aleatët ndërkombëtarë ka parë edhe humbje të ambicies së tyre për dialogun.

/Shqip.com