Lajme

Krasniqi: Rugova ka lënë gjurmë historike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Memli Krasniqi, kreu i PDK-së, ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 17 vjetorin e vdekjes së tij.

Ai tha se figura e tij ka lënë gjurmë historike dhe se është dëshmi i një historie unike politike e Kosovës.

“Në përvjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, kujtojmë përkushtimin e tij politik që la gjurmë në historinë e vendit tonë, në kuadër të përpjekjeve sublime për liri dhe pavarësi. Vepra intelektuale, politike dhe institucionale e Dr. Ibrahim Rugovës, mbetet e vlerësuar, e çmuar dhe shtetësisë së Kosovës i shërben si dëshmi e një historie unike politike në Evropë dhe botë”, ka thënë Krasniqi.

Për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së tij, nën përkujdesjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot u organizua ceremonia e vendosjes së kurorave.

Në homazhe mori pjesë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti.

Ish-presidenti Ibahim Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006.

/Shqip.com