Lajme

Krasniqi: Qeveria merret me ujin në kafiteri, nuk u siguron ujë të pijes shumë zonave në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në Drenas

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot Komunën e Drenasit, ku është pritur nga Kryetari Ramiz Lladrovci.

Krasniqi ka thënë se Qeveria e cila po merret me ujin në kafiteri, nuk u siguron ujë të pijes shumë zonave në Kosovë.

“Është e domosdoshme që të ndryshojë qasja e kësaj Qeverie karshi Komunave të Kosovës, sepse ato janë dera e parë e qytetarëve tanë. Për të përmiërsuar shërbimet dhe mirëqenien e tyre, Qeveria duhet të  ndihmojë komunat me mjete shtesë. Ju e patë që kanë projekte tejet të rëndësishme, urat të cilat e lehtësojnë qarkullimin e fëmijëve dhe të gjithë njerëzve. Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza, projekt që nuk e ka mbështetur kjo Qeveri. Po ashtu edhe projekti që ndërlidhet me ujësjellësin. Kur jemi te uij, si një nevojë bazike, përderisa Qeveria e Kosovës merr vendime që të obligojë gastronomët që tu shërbejë ujë nga kroji qytetarëve që pijnë kafe, në anën tjetër, këtu në Drenas, e njëjta Qeveri, nuk është duke u ndihmuar qytetarëve që të kenë furnizim me ujë të pijshëm. Një pjesë e madhe e fshatrave të kësaj komune e kanë këtë problem në baza ditore.”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, ka falënderuar Kryetarin Krasniqi për vizitën dhe mbështetjen e tij të parezervë për të shtyrë përpara projektet në të mirë të qytetarëve të Drenasit.

“Së bashku me Kryetarin vizituam tri projekte në komunën tonë të cilat ajën duke u zhvilluar aktualisht. Nga vërshimet e fundit në Drenas janë shkatërruar disa ura, prandaj ne jemi duke i ndërtuar disa dhe riparuar disa të tjera. Po ashtu, jemi duke shtuar kapacitetet e ujësjellësit në komunën tonë. Ndërkaq, aktualisht jemi në vendin ku po ndërtojmë kolektorin e ujërave të zeza. Shumë shpejtë ne do të jemi komuna e parë që kena me i largu ujërat e zeza nga lumenjtë. Shumë projekte të tjera kanë ngecur për shkak të mosfunksionimit të OSHP-së, por besoj tani do zhvillohen më mirë.”, ka thënë Kryetari Lladrovci.

Krasniqi ka thënë po ashtu se është i kënaqur me qeverisjen e Ladrovcit./SHQIP.com