Lajme

Krasniqi: Pse vetëm Kosova në tërë Evropën nuk ka material për pasaporta?

Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar lidhur me mungesën e materialit për pasaporta.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta zgjidhë sa më parë problemin me mungesën e materialit për pasaporta, për bashkatdhetarët.

Përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook, Krasniqi është shprehur se Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka material për pasaporta.

“Fatkeqësisht, edhe në këtë vizitë të tyre (mërgimtarëve), Qeveria nuk arriti që të paktën të sigurojë material për pasaporta, afatet e të cilave shumë mërgimtarëve tashmë u kanë skaduar. Qeveria, në vend se të bëjë kërkesa turpëruese drejt shteteve mike për lejimin e udhëtimit të qytetarëve me pasaporta të skaduar, duhet që urgjentisht këtë problematikë ta shndërrojë në prioritet. A di të tregojë ndokush nga Qeveria e fjalamanëve pse vetëm Kosova në tërë Evropën nuk ka material për pasaporta?”, thotë Krasniqi.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, katër milionë euro i janë ndarë një kompanie gjermane për furnizim me material për dokumente nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës Publike.

/Shqip.com