Lajme

Krasniqi përkujton masakrën e Izbicës: Thërrasim për drejtësi

Kryetari i Partisë demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përkujtoi 147 martirët e masakrës së Izbicës së Skenderajt në 24-vjetorin e vrasjes së tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se në këtë përvjetor të dhimbjes duhet të bëhet thirrje për drejtësi.

“Sot, kujtojmë dhe nderojmë 147 martirët e një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, asaj të Izbicës, të cilët, 24 vite më parë u vranë mizorisht nga regjimi kriminal serb. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, të vetëdijshëm për fundin që po u vinte, Serbia shtoi intensitetin e fushatës së tyre gjenocidale në Kosovë, përmes dëbimit, vrasjeve e masakrave mbi civilë të pafajshëm.

Gra, fëmijë, burra e pleq vriteshin gjithandej, pa shkak e pa mëshirë. Fatkeqësisht, janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullsinë civile shqiptare, për të cilat, fare pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë. Prandaj, edhe në këtë përvjetor të dhembjes, njëkohësisht krenarisë tonë kombëtare, thërrasim për drejtësi, të cilën akoma e presin dhe kërkojnë familjarët, shoqëria dhe shteti ynë”, shkroi Krasniqi.

Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Sot 24 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

/Shqip.com