Lajme

Krasniqi për Shqip.com: Albin Kurti është i afërt me Goran Rakiq-in

kryeministri, Albin Kurti, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq

Paralajmërimi për masa të reciprocitetit ndaj Kosovës nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, si shkak i moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit në territorin e Kosovës, nuk po i duket deklaratë befasuese, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi për Shqip.com thotë se Rakiq edhe më parë ka lëshuar deklarata të cilat janë në kundërshtim me sovranitetin e vendit.

“Tashmë disa herë ministri Rakiq ka dhënë deklarata kundër sovranitetit të Kosovës, në kundërshtim edhe me qeverinë Kurti, pjesë e të cilës është që nga fillimi, por asnjëherë, asnjë masë nuk është marrë ndaj tij. Përkundrazi, ka pas raste kur Kryeministri Kurti ka thur lëvdata për ministrin Rakiq”, tha Krasniqi.

Deputeti Krasniqi thotë se për këtë gjë, Rakiq i cili mban edhe postin e ministrit në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, duhet të shkarkohet, por që, sipas tij, kryeministri Albin Kurti, nuk ka guxim ta bëjë këtë.

“Mosguximi i Kryeministrit Kurti për ta shkarkuar ministrin Rakiq është dëshmia më e mirë e afërsisë ndërmjet tyre dhe funksionimit të koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe”, thekson Krasniqi për Shqip.com.

Goran Rakiq, gjatë një tubimi kundër mosmbajtjes së referendumit serb në Kosovë të mbajtur më 16 janar, paralajmëroi masa reciprociteti në rast se nuk lejohen të mbahen zgjedhjet e 3 prillit.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Shkarkimet e ministrave në Kosovë

Në mars të 2020-tës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, që vinte nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)  për shkak të “mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme”.

Ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

“Sot është mbajtur Këshilli i Sigurisë Kombëtare, situata në Kosovë është serioze dhe se numri I të prekurve po rritet dhe se institucionet duhet të arrin masat sa më shpejtë. Unë personalisht jam që të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë që të mbrohemi. Nuk është këtu çështja a jemi më kryeministrin a presidentin por duhet të jemi sa më të organizuar, nuk është koha e kapriceve se a duhet të domino mendimi i tij a po i këtij, sepse ne jemi në shërbim të Kosovës. Po duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, kishte deklaruar Veliu për media lokale.

Mandatin e ministrit nuk kishte mundur ta përfundonte as Ivan Teodosijeviç.

Ky i fundit ishte shkarkuar më 2019 nga kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj.

Teodosijeviç i cili mbante postin e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, i kishte përshkruar shqiptarët etnikë si terroristë dhe fabrikues të masakrave gjatë luftës në Kosovë.

Ish-Ministri i Pushtetit Lokal, Ivan Todosjeviq

“Arsyeja për agresionin në vendin tonë ishte e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut në vitin 1999 dhe ishin terroristët shqiptarë ata që i bënë të gjitha këto dhe kryen krimet më të mëdha në Kosovë”, pretendoi Teodosijeviç.

Në dhjetor të 2019-tës, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me dy vite burgim për veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos-durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik./Shqip.com