Lajme

Krasniqi për ankesat e Kurtit se të gjithë dolën kundër LVV-së: Janë fëmijërore

Albin Kurti, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka quajtur “fëmijërore” deklaratat e kryeministrit, Albin Kurti, i cili tha se për rezultatin e dobët zgjedhor, “të gjithë dolën kundër Lëvizjes Vetëvendosje”, përcjell Shqip.com.

Sipas Krasniqit, partia në pushtet nuk duhet të arsyetohet në këtë mënyrë, pasi që në disa komuna, LVV kishte koalicione me disa subjekte politike.

Lexo edhe:
Vota e diasporës vendimtare – LDK e përmbysë PDK-në në Dragash

“Është një arsyetim vërtetë fëmijëror se s’po di qysh me i thënë ndryshe. Janë bërë këta fëmijët tjerë bashkë e neve s’po na lënë me luajt. Nuk arsyetohet partia në pushtet ashtu. Më 2017 vërtetë krejt kanë qenë të organizuar kundër PDK’së dhe ne kemi mbet në pesë komuna S’kemi dalë me u arsyetu ‘valla na keni dalë kundër’. Atëherë ka qenë fakt, këtë herë nuk ka qenë.

Edhe AAK është në opozitë por kanë pasur koalicione zyrtare në disa prej komunave që i ka fituar, si për shembull në Kamenicë. LDK ka qenë bashkë me VV’në në Dragash në koalicion zyrtar”, tha ai në T7.

Tutje, duke komentuar rezultatin zgjedhor, i pari i PDK-së tha se njëri nga shkaktarët e humbjes së LVV-së në zgjedhjet lokale ka qenë përzgjedhja e kandidatëve dhe mungesa e programeve.

Ai deklaron se kandidatët e LVV-së mbështeteshin vazhdimisht tek kryeministri që t’ua fitonte zgjedhjet.

“Kandidatët e VV-së dilnin vetëm me Kurtin, sikur të ishin fëmijë të Kurtit”, deklaroi ai.

Ndërkaq, sa i përket fitores së PDK-së në tetë komuna, Krasniqi thotë se kandidatët e këtij subjekti politik janë përzgjedhur me kujdes.

“I kemi zgjedhur kandidatët me kujdes. Kanë qenë të shkëlqyer në komunikimin ndërpersonal me qytetarin. Mendoj se ata e kanë bërë diferencën. Unë vet e kam udhëhequr fushatën dhe kam vizituar të gjithë kandidatët për të parë si është gjendja”, shtoi ai.

Ndryshe, më 17 tetor është mbajtur raundi i parë i zgjedhjeve lokale, ku PDK ka fituar mbi 50 për qind të votave në Ferizaj, Mitrovicë të Jugut, Han të Elezit dhe në Skënderaj.

Më 15 nëntor është zhvilluar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, në të cilat, PDK ka fituar në Prizren, Vushtrri, Drenas, Kaçanik, kurse sipas rezultatit të votave nga diaspora, në Dragash është përmbysur rezultati ku tashmë është duke prirë kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bexhet Xheladini./SHQIP.com