Lajme

Krasniqi pas caktimit të koeficientit për paga: Goditje afatgjate ndaj sektorit publik

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se Kurti i ka dhënë një goditje afatgjate qytetarëve të Kosovës që punojnë në sektorin publik.

Ai përmes rrjetit Facebook, ka shkruar se ajo që po proklamohet si rritje, është një manipulim e lojë fjalësh.

“Për më tepër, pafytyrësisht, kjo Qeveri dhe ky Kryeministër janë në gjendje të mashtrojnë edhe publikisht në lidhje me pagat, përqindjet dhe rritjet që janë bërë.

Ajo që po proklamohet si rritje, në fakt është manipulim dhe lojë fjalësh. Ku thirren në rritje, nuk ka kujdestari, shujta, meditje, bonuse dhe ka mashtrime të krahasimeve bruto dhe neto. Ku nuk ka rritje, ka zbritje të ndjeshme dhe degradim të profesioneve e pozitave të rëndësishme të shtetit.

Para se gjithash, ky vendim i Qeverisë, cënon mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, atyre që me punën e tyre të dinjitetshme dhe të palodhshme mbajnë gjallë dhe në këmbë funksionimin e shtetit tonë.

Të gjithë, pa përjashtim, kanë merituar më shumë se sa kjo Qeveri u ka ofruar. Ky vendim, në krahasim me krizën ekonomike dhe inflacionin e madh, nuk u plotëson as për së afërmi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, ky vendim është thirrje për qytetarët që dëshirojnë të largohen nga vendi.

“T’ia rrisësh pagën vetes është hajni, është vjedhje” – thoshte Kryeministri Kurti me 1 mars të vitit 2018. Ndërsa sot, ai rriti pagën e tij në 1785 euro. Pra sipas gjuhës së tij, ai bëri vjedhje.

Sonte, nëse asnjë qytetar tjetër i vendit, të paktën ai mund ta bëjë gjumin i qetë dhe i lumtur, sepse mirëqenia e tij është përmirësuar.

Fatkeqësisht, për pjesën tjetër të popullit, sonte është vetëm nata e parë e një realiteti të ri e të dhembshëm!”, ka përfunduar shkrimin e tij, i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.

/Shqip.com