Lajme

Krasniqi: Nga 1 shtatori, jeta e prindërve dhe mësimdhënësve është vështirësuar,kryeministër për hir të fëmijëve gjej zgjidhje

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka hedhur edhe njëherë akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës lidhur me grevën në procesin mësimorë.

“Mbi 300 mijë nxënës po vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi edhe sot, e do të duhej të ishin në shkollë qe gati tri javë. Refuzimi i Qeverisë për dialog po vazhdon t’i dëmtojë të gjithë, e më së shumti nxënësit. Nga 1 shtatori, jeta e prindërve dhe mësimdhënësve është vështirësuar edhe më tej” ka shkruar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, mësimdhënësit nuk po kërkojnë pazare as lëmoshë por vetëm dinjitet.

“Mësimdhënësit nuk po kërkojnë pazare e as lëmoshë – por, vetëm dinjitet! Dinjiteti është boshti i veprimtarisë së tyre historike dhe qeveria nuk duhet t’ua mohojë këtë vlerë. Janë po këta njerëz që edhe në periudha më të vështira kanë ruajtur dinjitetin tonë njerëzor e kombëtar. Duhet t’i mirëkuptojmë, sepse janë prindërit tonë të dytë”, ka shkruar Krasniqi.

Kryeministër, për hir të fëmijëve, gjej zgjidhje, ka shtuar më tutje Krasniqi./Shqip.com