Lajme

Krasniqi në Vushtrri: Idrizi do të jetë kryetar i të gjithëve, pa dallim

Memli Krasniqi dhe Ferit Idrizi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se “Ferit Idrizi do të jetë kryetar i të gjithëve, pa dallim”.

Krasniqi e ka vizituar Vushtrrinë pesë ditë pasi kjo parti arriti ta rikthente qeverisjen në këtë qytet, katër vite pasi e humbi.

“Tani, koha është që qytetit dhe qytetarëve të Vushtrrisë t’u kthehen punët e mira dhe investimet. Këtë më së miri do ta bëjë Ferit Idrizi, një personalitet që nuk u ndalë asnjëherë së besuari në vlerat e Vushtrrisë dhe i cili jeton tash e sa dekada me hallet e përditshme të bashkëqytetarëve të tij”, ka thënë ndër tjerash Krasniqi.

Në vitin 2017, në Vushtrri kishte fituar Xhafer Tahiri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, i njëjti nuk ariti që ta merrte mandatin e dytë.

Debatet parazgjedhore mes Tahirit dhe Idrizit janë shoqëruar me tension e akuza.

Por, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet, ku PDK doli fituese – Tahiri shkoi në shesh për ta uruar kundërkandidatin e tij.

PDK pos Vushtrrisë, ka fituar edhe në shtatë komuna.

Shto edhe Dragashin ku ende nuk është asgjë përfundimtare, tash për tash bazuar në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, komuna jugore e Kosovës i takon PDK-së. /Shqip.com