Lajme

Krasniqi: Mësimdhënësit meritojnë kujdes më të madh e më të sinqertë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar mësimdhënësit me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit.

Për Krasniqin mësimdhënia nuk është vetëm një profesion por është thirrje fisnike që kërkon durim, ndjeshmëri, patriotizëm dhe pasion

“Në këtë aspekt, kontributi i mësimdhënësve tanë në frymëzimin e brezave të ri për lirinë dhe dashurinë ndaj Atdheut, ka qenë vendimtar edhe në çlirimin e Kosovës. E tillë ka qenë edhe mësuesja ime, Igballe Haziri, të cilën, bashkë me Blerandin e vizituam sot ne ditën e saj. Është gjithmonë kënaqësi e madhe ta takoj dhe të bisedoj me të për një periudhë shumë të dashur për mua”, thotë Krasniqi.

Ai thotë se për gjithçka që janë dhe përfaqësojnë, mësimdhënësit meritojnë kujdes më të madh e më të sinqertë.

“Jam i lumtur dhe krenar që kam qenë pjesë e qeverive që kanë kontribuar në rritjen e mirëqënies së tyre dhe në përmirësimin e dukshëm të kushteve të punës në shkollat dhe universitetet tona. Gjithsesi, puna nuk ka mbaruar. Ata meritojnë më shumë e më mirë, përherë dhe vazhdimisht”, thotë Krasniqi.

Gëzuar Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve, atyre që mbajtën gjallë arsimin shqip në të kaluarën dhe atyre që vazhdojnë të japin maksimumin për edukimin e gjeneratave të reja sot, ka shtuar më tutje Krasniqi.

/Shqip.com