Lajme

Krasniqi: Me Kurtin në Qeveri – raportet për Kosovën do të përkeqësohen

Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së
Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të raportit për Kosovën nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi thotë se me Albin Kurtin në krye të Qeverisë dhe me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, raportet për Kosovën do të vahzdojnë të përkeqësohen.

“Padyshim, si emërues i përbashkët i cili vulosë të gjitha këto gjetje që karakterizojnë Qeverinë Kurti, mbetet ambasadori Martin Berishaj, i cili, përkundër raportimeve, fakteve dhe akuzave, vazhdon të mbetet në detyrë pa dhënë asnjëherë llogari për miliona euro të shpërdoruara e të dyshimta.  Me Kurtin në qeverisje dhe Martinin si simbol të saj – raportet për Kosovën do të vazhdojnë të përkeqësohen vazhdimisht”, shkroi Krasniqi.

Krasniqi tha se me raportin e DASh-it, shpërfaqët dështimi i Qeverisë Kurti.

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën shpërfaq dështimin e Qeverisë Kurti për të ndërtuar institucione kredibile, të përgjegjshme dhe të pakorruptuara, në njërën anë dhe, në anën tjetër, dështimin për krijuar një ambient ku vajzat dhe gratë janë të sigurta”.

Korrupsioni serioz qeveritar dhe mungesa e hetimeve dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, janë përmendur si disa prej probleme më serioze në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, në pjesën për Kosovën.

Probleme tjera në raportin për vitin 2022 përfshijnë edhe format tjera të dhunës, si dhe krime apo kërcënime ndaj minoriteve etnike e grupeve tjera të margjinalizuara.

Teksa e ka publikuar raportin, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se raportet e publikuara për një pjesë të mirë të vendeve të botës demonstrojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të avancuar të drejtat e njeriut në botë.

/Shqip.com