Lajme

Krasniqi për Kurtin: Na flet për Ukrainën, por po heshtë për situatën në veri

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, ku gjatë ditës është raportuar se janë sulmuar zyrtarët komunalë zgjedhor me shok bomba.

Sipas të parit të PDK-së, Serbia nuk duhet të kalojë në veriun e Kosovës dhe se sot janë sulmuar institucionet e shtetit.

“Serbia nuk duhet të kalojë në veriun e Kosovës!

Institucionet e shtetit sot janë sulmuar në komunat e veriut. Kandidatët tanë janë kërcënuar. Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën, ndërsa Kryeministri i vendit, që na flet për zhvillime prej Ukrainës e deri në Kinë, po heshtë për situatën në veri.

Fol Kryeministër!”, ka shkruar Krasniqi.

Gjatë pasditës së sotme është raportuar në media, e më vonë është konfirmuar edhe nga njoftimi i Policisë së Kosovës, se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve janë sulmuar me shok bomba.

Lidhur me veprimet në veri ka reaguar edhe ministri Sveçla, duke thënë se krejt këto po ndodhin me qëllim të pengimit të mbajtjes së procesit zgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës.

/Shqip.com