Lajme

Krasniqi kritikon Qeverinë: Ora policore është e palogjikshme

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në foltoren e Kuvendit

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për masat që ka ndërmarrë së fundmi për kontrollin dhe parandalimin e COVID-19, duke thënë se “ora policore nuk është e nevojshme”.

Sipas masave të fundit të vendosura këtë muaj nga Qeveria, ora policore zbatohet nga ora 22:00-05:00. E sipas të parit të PDK-së, kjo është e palogjikshme.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për pandeminë, Krasniqi është shprehur se vendi është përfshirë nga një valë e re e COVID-19, dhe se kjo, sipas tij, nuk po e shqetëson Qeverinë.

“Kufizimi i lëvizjes me orar e operim me orë policore, i jep konotacion mitik virusit thuajse ai del natën e bën kërdi në Kosovë e ditën e ka pushim”, është shprehur ai.

Mes tjerash, Krasniqi ka thënë se veçanërisht është e rrezikshme “barazimi i të vaksinuarve me të pavaksinuarit” në këto masa, pasi që në këtë mënyrë sipas tij, stimulohet mosvaksinimi.

“Nëse u themi qytetarëve vaksinohnu për ta mbrojtur shëndetin e në fund nuk i bën të dallueshëm prej të pavaksinuarve, atëherë stimulon mosvaksinimin”.

Ai po ashtu e ka akuzuar Qeverinë se po vendos masa dhe nuk po i mbikëqyrë ato./SHQIP.com