Lajme

Krasniqi kritikon Qeverinë Kurti: Ka neglizhuar totalisht vaksinimin kundër COVID-19

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Mmeli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për “dështim” në menaxhimin e pandemisë COVID-19, duke thënë “gabimi më i madh është bërë në mënyrën e sigurimit të vaksinave”.

Sipas tij, qeveria ka dështuar në administrimin e procesit të vaksinimit “duke mos ofruar vaksinim mobil dhe duke mos bërë fushatë masive të vetëdijesimit për rëndësinë e vaksinimit si mbrojtja e vetme dhe e paalternativë”.

Më tej, i pari i PDK-së ritheksuar qëndrimin e partisë për krijimin e një fronti të përbashkët “për t’u ballafaquar me Coronavirusin”.

Ai ka kërkuar edhe një herë që deputetët të kthehen nga pushimi në Kuvendin e Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin krahas nevojave të sektorit shëndetësor.

“Është e qartë se mungesa e vaksinave si top prioritet për ballafaqim me Covid-19 është një problem që kërkon zgjidhje emergjente. Organizimi funksional, non-stop dhe mobil i procesit të vaksinimit, kërkon veprim të menjëhershme. Furnizimi me medikamente për të infektuarit, në çdo qendër trajtimi, kërkon veprim të menjëhershëm. Mbështetja meritore e profesionistëve shëndetësorë kërkon vendimmarrje serioze, të qëndrueshme dhe të menjëhershme”, është shprehur Krasniqi në konferencën për media.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili të enjten tha se asgjësimi i mbi 100 mijë vaksinave është bërë për shkak të “gënjeshtrave të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu”.

Sipas Krasniqit, kjo është “përpjekje për t’u shfajësuar”.

Lexo edhe:
Nga VV-ja fajësojnë deputetin e PDK-së për skadimin e afatit të vaksinave

“Po ju them, zotëri dhe zonja të Qeverisë Kurti, keni dështuar deri tani. Deputeti Haxhiu ka kërkuar disa herë qasje në kontratën me Pfizer, por nuk i është dhënë, madje ajo vazhdon të mbahet e fshehur edhe tani”./SHQIP.com