Lajme

Krasniqi: Kosova do të përballet me dimër shumë të vështirë, asnjë veprim konkret nga Qeveria

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka thënë se Kosova do të përballet me një dimër shumë të vështirë. 

Sipas tij, kjo për faktin se janë rritur çmimet dhe nuk ka asnjë veprim konkret nga Qeveria lidhur me këtë çështje.

“Dimri po vjen dhe nuk do të jetë fare i lehtë. Që nga vjeshta çdo parametër, te çdo paralajmërim ekonomik tregon që ne do të kemi një përshkallëzim në kuptimin negativ të situatës ekonomike dhe kjo do ta ndikojë drejtpërdrejtë dhe gjendjen e rënduar sociale.

Krasniqi tha se nga vizitat që i bënë në komuna të Kosovës, ngritja e çmimeve ka lënë pasoja tek ato.

“Në çdo anë të Kosovës ku ne po bëjmë vizita nëpër komuna sot një prej preokupimeve kryesore është ngritja e çmimeve. Është e papërballueshme që e kanë familjet kosovare për ta lidhur muaj me muaj dhe kjo do të rëndohet më tutje sepse kjo qeveri nuk e ka as vullnetin e as vizionin fatkeqësisht as aftësinë e kompetencave për të ndërmarrë veprime të drejta”.

Ilustrim

Ai e ka quajtur të padrejtë anulimin e vendimit për kërkesën e tyre në gjyqësor për tarifat e energjisë.

“Përkundër që ne kishim fituar në dy nivele të gjyqësorit të Kosovës lëndën tonë për ta anuluar vendimin krejtësisht të padrejtë dhe të paligjshëm për rritjen e tarifave të energjisë ndërsa Gjykata Supreme tani e ka kthyer në fuqi ne do të kemi një dimër shumë më të vështirë e sidomos nëse do të jetë një dimër i ftoftë siç parashikohet të jetë”.

Ndërsa, për Qeverinë e Kosovës ka thënë se është duke e rënduar jetën e qytetarëve.

“Fakti se lëndët djegëse siç është peleti, druri janë rritur çmimet qysh tash në korrik në mbi 100% ne nuk jep shpresë që ato do të lirohen më vonë sepse asnjë veprim nuk është duke u ndërmarrë që një gjë e tillë të ndodhë. Prandaj kjo Qeveri vetëm duke vështruar situatën dhe duke mos marrë veprim dhe duke refuzuar edhe trustin realisht po tregohet një qeveri jo që po e lehtëson, por përkundrazi po e rëndon jetën e qytetarëve”, tha Krasniqi. 

Fatura e rrymës

Sipas  Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, rritja e çmimit ishte bërë për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë brenda muajit, 12.5 centë për tarifën e lartë dhe 5.9 centë për tarifën e ulët.

Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës kishte ngritur padinë ndaj ZRRE-së, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës po i dëmton qytetarët./Shqip.com